Lajme

15 May 2018

Jo vetëm një zë të fuqishëm, Eugenti zbulon profesionin dhe talentet e tjera përveç muzikës

Eugent Bushpepa mahniti publikun me zërin dhe performancën e tij në Eurovizion. Në një intervistë të dhënë së fundmi Eugenti rrëfeu ndër të tjera se edhe pse ka 28 vite në skenë dhe muzika është shpirti i tij, në të ardhmen ai dëshiron që të ushtroj profesionin për të cilin po studion prej vitesh.

“Me muzikën merrem full time, por një pjesë të madhe më merr studimi. Nuk kam mbaruar akoma studimet për stomatologji duke qenë se kam qenë më i angazhuar me anën artistike. Është pak e çuditshme por kam qenë gjithmonë një person që ka lidhje me mjekësinë në përgjithësi. Doja të isha mjek. Mamaja ime ka qenë infermiere, djali i xhaxhait tim është një kirurg shumë i mirë.”, u shpreh Eugenti gjatë intervistës.

Këngëtari simpatik zbuloi për herë të parë se në moshën 18-vjeçari ai kishte nisur studimet për mjekësi në Itali, por pamundësitë ekonomike e kishin detyruar që ta braktiste.

“Unë në moshën 18 vjeçare u largova nga Shqipëria për të studiuar mjekësi në Bolonjë, në Itali. Në pamundësi për ta përfunduar për shkak të disbalancës ekonomike që kanë dy vendet mu desh që të punoja.
U riktheva në Shqipëri pas katër vitesh për të dhënë një provim. Një vit e gjysmë studiova mjekësi në Itali. E dhashë dhe njëherë provimin në 2005-n në Shqipëri dhe fitova mjekësinë. Zgjodha rrugën më të shkurtër që të bëja stomatologji sepse më hante më pak kohë dhe s’e kam mbaruar akoma.”, u shpreh ai.

Kur të përfundojë studimet Eugenti dëshiron që të praktikojë profesionin e tij, por pa lënë pas dore muzikën.

“Dua të punoj në profesionin tim. Unë artin s’do ta lë asnjëherë. Unë merrem dhe me pikturë, jam shumë i dhënë pas artit. Kohën e lirë tentoj ta kaloj me pikturë. Artin do ta mbaj sepse është shpirti im”.

|

Leave a Reply

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com