Mirela Kumbaro habit me statusin e saj, komentuesit e kryqëzojnë
Mbrëmjen e djeshme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u kthye në fare pak kohë në çështje diskutimi nëpër rrjete sociale. Nismën “Lëvizja Kombëtare për Lexim”, Kumbaro e prezantoi përmes një statusi të saj në Twitter që shkaktoi reagime pafund, për shkak të fjalorit që përmbante.
“Ne duhet t’i bëjmë librat interesantë sërish. Nëse t’i shkon në shtëpinë e dikujt dhe sheh që ata nuk kanë libra, mos u q* me ta. Mos i lini t’ju zbulojnë para se të kenë zbuluar sekretin universal të librave!”- lexohet në statusin e saj.
Kaq u desh që i gjithë interneti të revoltohej me argumentin se kjo nuk është gjuha që një ministre e për më tepër kulture duhet të përdorë për të dhënë një mesazh.
“Çfarë dreqin është kjo? Seksi është zgjedhje personale dhe ti zonjë përfaqëson diçka tjetër, nuk je psikologe këtu!”- shkruhet në një prej shumë komenteve në Twitter.
Madje ka patur edhe të tjerë që kanë vënë në dyshim gjendjen mendore të Kumbaros pasi kanë lexuar diçka që duket se nuk e presnin kurrsesi.
Shprehja që ministrja ka përdorur nuk është e saj dhe ndoshta, nëse do të kishte cituar autorin, reagimet s’do të kishin marrë këto përmasa. Kumbaro e ka huazuar nga John Waters- aktor, regjisor, shkrimtar dhe personalitet amerikan, fama e të cilit arriti majat pas filmave me përmbajtje transgresive si “Pink Flamingos”.
Ndonëse qëllimi kryesor ishte sensibilizimi i shoqërisë rreth rëndësisë që kanë librat, përdorimi i asaj shprehjeje në këtë rast, shumicës i është dukur krejt pa vend. Fillimisht, ndërveprimi fizik është diçka krejt personale (ashtu siç është edhe mendimi e Waters-it rreth lidhjes mes librave dhe seksit) dhe arsyeja tjetër, jo më pak e rëndësishme- nuk është mesazh për t’ju dhënë masës në këtë lloj forme.