Rozana Radi shpreh dëshirën për tu bërë nënë në këtë virgjilje festash
Atmosfera e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, këtë vit duket se ka nisur më herët. Entuziazmi i festave, thuajse të gjithë i ka përfshirë më herët, ndaj edhe dritat janë ndezur për të lajmëruar gëzimin e fundvitit. Ndërsa të gjithë nga pak kanë nisur edhe të zbukurojnë këndin e ngrohtë të shtëpisë, mendojnë edhe për ato dëshira që nuk i realizuan dot gjatë këtij viti e presin sa më shpejt t’ua mundësojë viti i ardhshëm.
Ndoshta në këtë grupin e fundit bën pjesë edhe këngëtarja e njohur Rozana Radi, të cilën fundviti e gjen të rikthyer në magjinë e festivalit të Këngës Magjike, por edhe me dëshira speciale për vitin e ardhshëm. Sot, pak para se të prezantonte baladën e shumëpritur “Kur përfundon një dashuri si kjo e jona” në Këngën Magjike, Rozana u përball me një pyetësor para pemës së Krishtlindjeve në “E diela shqiptare”.
Duke vendosur një nga një zbukurimet në pemë (secila prej goglave specifikuar për dikë a diçka), Rozana tregoi edhe dëshirën e saj më të madhe. Pyetjes së Arditit se cila është lutja më e madhe që i bën pemës së Krishtlindjeve, ajo iu përgjigj: “Të bëhem nënë sa më shpejt…”. Kaq u desh që publiku të duartrokiste duke e mbështetur dëshirën e saj të madhe. Duke qeshur, por pa siklet për atë që shprehu publikisht, Rozana nuk deshi të vijonte më tej. Nëse do të ishte pyetur a ka ndonjë lajm të ri për të thënë, me siguri, ajo do ta shmangte, por kurrsesi, nuk do ta fshehë lajmin më të bukur kur të jetë koha e duhur dhe kur ajo të ketë kënaqësinë ta ndajë me të gjithë.
Pas interpretimit, si përherë mbresëlënës, ovacionet dhe duartrokitjet e publikut vazhduan për disa minuta. Derisa të plotësohet lutja para pemës, Rozana, duke filluar që tani, do të shijojë suksesin e “Kur përfundon një dashuri si kjo e jona”.