Eminem fiton gjyqin ndaj partisë politike në Zelandën e Re, ja dëmshpërblimi…
Një parti politike e Zelandës së Re është urdhëruar të paguajë 600,000 dollarë në kompensim të shkeljes së të drejtave të autorit të paraqitur nga reperi amerikan Eminem. Partia Kombëtare përdori këngën ‘Lose Yourself’ të Eminem në fushatën zgjedhore. Kënga e zgjedhur nga Partia kishte disa ndryshime minimale nga origjinalja, sipas vendimit të gjykatës. Eminem i paraqiti procedurat pasi Partia Kombëtare përdori një version të paliçensuar të këngës fituese të Oskarit në fushatën e vitit 2014. Avokatët e partisë kishin argumentuar se melodia e përdorur nuk ishte e ‘Lose Yourself’, por një këngë e quajtur Eminem-esque, të cilën ata e blenë nga një bibliotekë muzikore. Megjithatë gjykata vendosi të mërkurën se melodia ishte “mjaft e ngjashme” me origjinalen e Eminem, duke shtuar se ajo në të vërtetë shkelte ligjet e autorit. Aktgjykimi mori në konsideratë meloditë e daulleve, akordet e sfondit dhe tingujt e violinës të çdo versioni, të gjitha këto kishin ngjashmëri të mëdha. ‘Lose Yourself’ e cila u shfaq në repertorin e filmit ‘8 Mile’ në vitin 2002 është një nga hitet më të mëdha të reperit.