Robbie Williams zbulon arsyen e dhimbshme të anulimit të koncerteve të tij
Robbie Williams ka anuluar disa koncerte të turneut të tij në Rusi të planifikuara në muajin shtator, si pasojë e një sëmundjeje misterioze. Së fundmi, ai ka zbuluar se arsyeja e vërtetë pse anuloi datat e turneut të tij, lidhet me faktin se ai ka kaluar 7 ditë në spital pasi doktorët zbuluan anomali në trurin e tij.
Këngëtari tregoi situatën se si u bë keq në prapaskenën e koncertit të tij në Zurich. “Krahu im i majtë u mpi dhe më dilte lëng nga goja. Kisha një dhimbje koke dhe kisha vështirësi në frymëmarrje. Nuk merrja frymë lirshëm”.
Edhe pse ai e dha atë koncert në Zurich, kur u kthye në Londër, ai iu nënshtrua disa analizave, ku doktorët zbuluan njolla gjaku në tru. Ylli i muzikës ka kaluar disa kohë në spital dhe më pas rreth 2 muaj në shtëpi në Los Angeles, ku mori veten plotësisht.