Sot është Dita Ndërkombëtare e Radios, aktiviteti i organizuaruar nga Presidenca
Sot është Dita Ndërkombëtare e Radios, e cila ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes. Për herë të parë, Dita Botërore e Radios është shënuar më 13 shkurt të vitit 2012. UNESCO ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.
Në kuadër të kësaj dite, Presidenti Ilir Meta ka takuar në ambientet e Presidencës disa nga ikonat e gazetarisë shqiptare ndër vite, jo vetëm si një shenjë e falënderimit por edhe për të dhënë një mesazh për të rinjtë shqiptarë.
Fjala është për gazetarët e radios, ata komentatorë që kanë përçuar ndeshjet e sportit nëpër shtëpitë e shqiptarëve në një kohë që prej 28 vitesh është zhdukur.
Duke marrë shembull prej tyre, Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh të rinjve shqiptarë që të qëndrojnë larg drogës apo simultantëve të tjerë, por të merren me sport.
“Të dashur miq, me rastin e Ditës Botërore të Radios, ishte kënaqësi e privilegj të takoja sot ikonat e radios shqiptare ndër vite, jo thjesht për të përkujtuar një datë simbolike, por edhe për të vlerësuar në radhë të parë kontributin e tyre dhe të gjithë drejtuesve, gazetarëve e komentatorëve të mrekullueshëm, por edhe teknikëve të palodhur të radios, që sot nuk janë më midis nesh. Viti i UNESCO-s për Radion dhe Sportin, duhet të shërbejë për t’u bërë thirrje të rejave e të rinjve shqiptarë të merren me sport, larg veseve, larg varësisë ndaj drogës dhe simulantëve të tjerë, larg obezitetit dhe vetë-izolimit”, tha Meta.