Mediat britanike vlerësojnë Eugent Bushpepën
Mediat britanike nuk i kanë kursyer lëvdatat për këngëtarin shqiptar Eugent Bushpepa, i cili dhuroi një performancë të shkëlqyer vokale gjatë provave të këngës “Mall”.
Bushpepa do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në festivalin kontinental “Eurosong”, që do të zhvillohet më 8 maj në Portugali.
“Kjo është një këngë tepër e vështirë vokalisht, megjithatë Eugenti ia ka dalë në të gjitha performancat. Ka disa nota të larta dhe shumë këngëtarë kryesorë grupesh “do vrisnin” për të dhënë një performancë të tillë. Këngëtari shoqërohet nga dy vokaliste dhe një grup i vogël muzikantësh, duke përfshirë një baterist, basist dhe një kitarist”.
Nëse ndryshimet e skenës për vitin 2018 do të vendosnin më shumë theksin te këndimi, sesa te paraqitja skenike, kjo i përshtatet më së miri Shqipërisë. Me këtë performancë, Eugenti ka shumë shanse që të kualifikohet. Eugent Bushpepa po lufton shumë që të kualifikojë Shqipërinë në finalen e “Eurovision”, gjë që nuk është arritur prej tre vitesh”, shkruan “Metro”.