Çifti më i pasur në botë i jep fund martesës
Njeriu më i pasur në botë dhe shefi i Amazon, Jeff Bezos dhe bashkëshortja e tij MacKenzie janë divorcuar pas 25 vitesh martesë.
Dyshja njoftoi këtë vendim në një deklaratë të përbashkët të mërkurën në Twitter.
“Pas një periudhe të gjatë bashkë, ne kemi vendosur të divorcohemi dhe të vazhdojmë jetën si miq“, tha çifti në një deklarat.
Amazon, kompania më e madhe për shitje online e formuar 25 vjet më parë, këtë javë eklipsoi Microsoft-in për t’u bërë kompania më e vlefshme në botë.
Jeff Bezos, 54 vjeç, i cili themeloi Amazon, është njeriu më i pasur në botë sipas Indeksit të Bloomberg, me një pasuri prej 137 miliardë dollarë, rreth 45 miliardë dollarë përpara Bill Gates.
48-vjeçarja MacKenzie Bezos është një romanciere, autore e “The Testing of Luther Albright“, në 2005 dhe “Traps” në 2013.
“Ne ndihemi jashtëzakonisht me fat që kemi gjetur njëri-tjetrin dhe jemi thellësisht mirënjohës për secilin vit që ishim të martuar“, tha çifti.
“Nëse do të ishim në dijeni se do të ndahemi pas 25 vjetësh, do ta bënim prapë. Ne kemi pasur jetë të shkëlqyer së bashku dhe ne gjithashtu shohim një të ardhme të përbashkët si prindër, miq dhe partnerë në sipërmarrje dhe projekte. Ndonëse statusi mund të jetë i ndryshëm, ne mbetemi familje dhe miq të dashur”, thanë Bezos.
Çifti ka katër fëmijë, njëri prej tyre është adoptuar, shkruan BBC.
Amazon ishte me vlerë 797 miliardë dollarë, kur tregu i aksioneve amerikan u mbyll të hënën, pas rritjes prej 3.4% dhe duke kaluar Microsoftin, me vlerë 789 miliardë dollarë.