Nuk është koncert! Çfarë do të ndodhë sonte në Sheshin Skëndërbej?
Profesoresha e mirënjohur Mimoza Hafizi ka ftuar të gjithë studentët e saj por jo vetëm që sonte, në orën 08:30 të mblidhen në Sheshin Skëndërbej për të vëzhguar satelitin e vetëm natyror të Tokës, Hënën, me rastin e 50- vjetorit të zbarkimit të parë të njeriut në Hënë.
“Në mëngjesin e 21 Korrikut 1969, astronauti Neil Armstrong zbriti nga moduli Eagle i anijes hapësinore Apollo 11 dhe, teksa hidhte hapat robotikë mbi truallin hënor, lëshoi mesazhin e famshëm “Një hap i vogël për njeriun, por kërcim gjigand për njerëzimin”. Mbi 500 milionë banorë të Tokës po ndiqnin direkt përmes TV këtë akt të parë të pushtimit të hapësirës nga qytetërimi i tyre” shkruan Hafizi.
“Le ta vëzhgojmë së bashku Hënën, me teleskopin tonë apo me instrumentet e secilit prej jush. Të shohim së bashku “Detin e Qetësisë” hënore, ku Armstrong dhe Aldrin zbritën për herë të parë, të shqyrtojmë relievin e satelitit tonë si dhe vendet e zbarkimit të misioneve pasuese. 12 burra kanë vajtur në Hënë në shekullin e kaluar. Njerëzit po përgatiten për të zbarkuar në Mars.
Le të shohim edhe yllin e Shqipërisë me planetin e vet rrotull. Ç’është ky yll? Le ta zbulojmë së bashku sonte, me shpresën për një qiell të hapur”,mbyll thirrjen e saj Hafizi.