Agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë teston folësit robotë
Agjencia kineze shtetërore e lajmeve, Xinhua, është bërë e para që ka nxjerrë në ekran dy folës robotë. Folësit janë produkt i inteligjencës artificiale, të krijuar nga filmimet e prezantuesve të televizionit, ndërsa zëri vjen nga një sitetizues zanor.
Për të krijuar këta folës të rinj teknologjikë, Xinhua ka analizuar orë të tëra emisione lajmesh si bazë nga e cila janë ndërtuar shprehitë e fytyrës dhe lëvizja e gojës. Rezultati është një manekin virtual që mund të hyjë në transmetim direkt në çdo moment dhe të jetë i shpejtë dhe efikas.
Sipas “South China Morning Post”, Xinhua ka zhvilluar dy modele folësish, një për publikun anglishtfolës dhe një tjetër për atë kinez, në bashkëpunim me motorin e kërkimit Sogou. Për momentin, pavarësisht eficiencës dhe aftësisë së tyre për të qenë të disponueshëm 24 orë në 24, këta lloj spikerësh kanë ende disa defekte në aspektin e shprehjes së fytyrës dhe zërit metalik. Por zëdhënësit e agjencisë së lajmeve thonë se këto karakteristika do të përsosen me kalimin e kohës.