Autori i mozaikut të parë të lëvizshëm është shqiptar
Tashmë mund të thuhet pa droje se shqiptari Gëzim Hidri është autor i të parit mozaik të lëvizshëm të realizuar me 120 mijë copëza guri me ngjyrë. Një pjesë e gurëve të marrë nga të gjitha kontinentet e botës, nga malet e Librazhdit dhe treva të tjera shqiptare dhe çfarë është më interesantja edhe dy dhëmballë të autorit. Veprën e tij e nisi në Angli në vitin 2006 dhe i kushtohet presidentit të Çelsit, Roman Abramoviç. Por në rrugëtimin e tij mozaiku u pasurua me shumë elementë, që sipas autorit janë një abetare apo një “kod i planetit”.
Në qendër ka emblemën e Çelsit, që çuditërisht ka një çelës që hap dyer, për të vazhduar me elementë si deti, akullnajat, perëndimi, një balenë dhe shumë detaje që kanë të gjitha një zbërthim dhe një kuptim. Ai ka bashkuar në një mozaik Lindjen me Europën. Një vepër e tillë e realizuar me gurë ngjan më shumë me një pikturë në kavalet që autori e ka plotësuar me një strukturë me dru të rrallë e të pashkatërrueshëm.
Dimensioni i kësaj vepre është 258 cm gjerësi, 153 cm lartësi dhe peshon 305 kg. Është ndër të rrallët mozaikë të lëvizshëm dhe siç thotë autori është i vetmi në botë i këtij lloji. Është vizituar nga ambasadorë, turistë, kureshtarë dhe të gjithë janë interesuar për këtë mozaik që qëndron në studion e artistit tashmë i përfunduar pas 9 vjet e 9 muaj përpjekje për të sjellë një vepër unike të realizuar nga duart e një artisti.