Barcelonë, leje ndërtimi për katedralen që nisi në vitin 1882
Bashkia e Barcelonës ka dhënë një leje ndërtimi për katedralen e papërfunduar të “Sagrada Familia”, e cila nisi të ndërtohet 137 vjet më parë dhe mban firmën e arkitektit të famshëm Antonio Gaudi.
Ndërtuesit aktualë kanë tashmë një licencë që është e vlefshme deri në vitin 2026. Ata mendojnë se kjo kohë do të jetë e mjaftueshme për të përfunduar ngritjen e kullave qendrore të kishës katolike romake.
Guri i parë i katedrales u vendos në vitin 1882, por zyrtarët e Barcelonës thanë se nuk ka asnjë dokument ose provë që tregon nëse është lëshuar ndonjëherë leje për ndërtimin e saj, megjithëse kjo u kërkua një herë në vitin 1885.
Zyrtarët e Barcelonës thonë se qytetit do t’i paguhet 4.6 milionë euro kompensim, kjo në bazë të një marrëveshjeje me fondacionin përgjegjës për përfundimin dhe ruajtjen e katedrales “Sagrada Familia”.
Pavarësisht se prej më shumë se një shekulli, katedralja është e papërfunduar, interesi i turistëve për ta vizituar mbetet i lartë. Më shumë se 4.5 milionë turistë e vizitojnë katedralen e famshme në ndërtim çdo vit. Ata paguajën 17-38 euro për ta admiruar nga afërt veprën e arkitektit Gaudi.
Kur të përfundojë kulla qendrore, “Sagrada Familia” do të jetë ndërtesa më e lartë fetare në Evropë me një gjatësi prej 172.5 metra.