Bjeshkët e Namuna, zonë e përbashkët kombëtare për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, përmes një aktiviteti të organizuar sot për prezentimin e programit të ri për zhvillimin e turizmit, tha se autoritetet e tre vendeve, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, janë në bisedime për të ofruar paketa të përbashkëta për turistët.
“Ne kemi filluar bisedimet me qeverinë e Kosovës dhe të Malit të Zi për të pasur mundësinë që ta kemi Bjeshkët e Namuna si park kombëtar të përbashkët. Ky park mund të jetë gjenezë e një turizmi të vërtetë për zonën e Alpeve mund të jetë një industri e re që nuk njeh kufi, që na bashkon interesat e tre institucioneve tona politikbërëse të turizmit në një pikë të vetme si ta promovojmë e ta bëjmë të aksesueshme për sa më shumë turistë”-, theksoi ministri Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se kjo është tashmë një dëshirë e shprehur nga institucionet politikbërëse. “Ne së bashku me qeverinë e Kosovës kemi përcaktuar shpalljen e parkut natyror në të dy anët e bjeshkëve si park i mbrojtur natyror për të pasur një zhvillim më të kontrolluar brenda asaj zone”, tha ai.
“Me qeveritë e Malit të Zi kemi të njëjtat dakordësi sa i përket paraqitjes së një produkti të përbashkët, por ajo që na duhet është që ne të vendosim rregulla më të qenësishme për të mos prishur bukurinë dhe stabilitetin turistik të asaj zone”, u shpreh Klosi.
Ai tha se janë të gjitha mundësitë që numri i turistëve që vizitojnë atë zonë të shtohet dita-ditës.