Lajme

03 September 2018

E njohur për rolin në filmat për James Bondin, aktorja nderohet me çmimin e karrierë

Aktores britanike, Judi Dench, e cila është e popullarizuar te filmdashësit me rolin e ‘M’ në filmat e James Bondit, do t’i ndahet çmimi për arritje jetësore në festivalin spanjoll të filmit, San Sebastian.

83-vjeçarja, e cila në vitin 1999 e fitoi çmimin Oscar për rolin më të mirë dytësor, më 25 shtator të këtij viti do ta marrë çmimin ‘Donostia’.
Do të jetë hera e parë që aktorja merr pjesë në festivalin San Sebastian, ku do ta promovojë filmin e ri, “Red Joan”, të regjisorit Trevor Nunn.

Aktorja e njohur e teatrit dhe filmit, në ekranet e mëdha ka debutuar në vitin 1964, ndërsa gjatë karrierës ka bashkëpunuar me regjisorë të njohur, si Kenneth Branagh, Steven Friers, Clint Eastwood e Sam Mendes.
Në fillet e karrierës i kishin thënë se është aktore e mirë, porse kurrë nuk do të arrinte të ishte e suksesshme. Sidoqoftë, ajo ka arritur që t’i tregojë të kundërtën të gjithë kritikëve.
Krahas çmimit Oscar, Judi ka fituar dhjetë çmime BAFTA, shtatë çmime ‘Laurence Olivier’, dy Globe të arta dhe një çmim Tony.

Në vitin 1988, Dench është nderuar me titullin ‘Damë’, si kalorëse nderi në Mbretërinë e Bashkuar dhe është bërë anëtare e Shoqatës Mbretërore të Britanisë për avancimin e artit.

|

Leave a Reply

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com