Geena Davis: Pabarazia gjinore në Hollivud, një turp i vërtetë
Përfaqësimi i ulët i grave në Hollivud pas kamerave është një “turp”, shprehet aktorja amerikane dhe aktivistja Geena Davis në Festivalin e Filmit Deauville të Francës.
Davis, e cila u bë e njohur në filmin kut “Telma dhe Luiza” me Susan Sarandon, kritikon hendekun gjinor në Hollivud nga tapeti i kuq i festivalit, ku po promovonte dokumentarin e saj të ri “This Changes Everything” (Kjo ndryshon gjithçka) mbi pabarazinë gjinore.
“Mendoj se kam dëgjuar sot se në Francë ka 24% drejtore femra, kurse në Shtetet e Bashkuara vetëm 4%. 24 nuk është edhe aq mirë, por 4% është turp”, u tha ajo gazetarëve.
Dokumentari, i prodhuar nga Davis dhe i drejtuar nga Tom Donahue, përmban intervista me aktorë të njohur të Hollivudit, përfshirë Meryl Streep, Reese Witherspoon, Jessica Chastain dhe Tiffany Haddish, dhe shqyrton diskriminimin gjinor në media dhe industrinë e argëtimit.
Davis tha se lëvizja #MeToo, e cila ka ndihmuar gratë të flasin për dhunën seksuale në të gjithë botën, ka pasur një ndikim të madh në Hollivud.