Antarët e grupit “The Rolling Stones” sfidojnë moshën dhe konfirmojnë turneun muzikor në Britani të Madhe
Grupi i muzikës i rokut “The Rolling Stones” që ka shitur më shumë se 240 milionë albume në gjithë botën dhe ka qëndruar për afro gjashtë dekada në krye të industrisë muzikore ka një surprizë.
Pavarësisht moshës së tyre, anëtarët e grupit britanik nuk e kanë në plan të ndalen dhe tashmë e kanë konfirmuar turneun e ri në Britani të Madhe.
Ka pesë vite që Mick Jagger , Keith Richards, Ronnie Wood dhe Charlie Watts nuk kanë performuar në vendin e tyre. Turneu i parë i “The Rolling Stones” në Britani të Madhe ishte mbajtur në vitin e largët 1963.
Sipas “The Sun”, ata do të realizojnë disa koncerte në Britani të Madhe, ndërsa koncerti i parë do të mbahet më 22 maj në stadiumin e West Hamit në Londër, para se të performojnë në Old Trafford të Mançesterit më 5 qershor.
Më pas, muzikantët veteranë do të shfaqen në stadiumin Murrayfield të Edinburghut në 9 qershor, për të vazhduar në Uells në Principality Stadium të Cardiffit në 15 qershor.
Pos vendit të tyre, grupi do të mbajë koncerte edhe në Irlandë, Gjermani, Francë, Poloni dhe Republikën Çeke.