Ikona hollivudiane, Robert De Niro e quan Trumpin racist
Robert De Niro, vazhdon të jetë një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një intervistë për The Guardian aktori ka thënë se kreu i Shtëpisë së Bardhë është një racist dhe një ‘supremacist’ i bardhë.
75-vjeçari vazhdon të thotë se Trump po u sjell dëm të madh Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kur e shihni dikë siç është Trump duke u bërë president, mendoni: ‘Në rregull, të shohim se çfarë do të bëjë, ndoshta do të ndryshojë’. Megjithatë, ai po bëhet gjithnjë e më i keq. Ai është një racist i vërtetë”.
“Kam menduar se si një njujorkez e kupton diversitetin në qytet, por ai është po aq i keq siç kam menduar më herët se është dhe po bëhet gjithnjë e më i keq. Është turp. Është një gjë shumë e dëmshme për vendin”.
“Po ta kishte rrugën e tij, do të përfundonim në një gjendje shumë të keqe në këtë vend. Mendoj për mënyrën si unë e kuptoj. Kanë qeshur edhe me Hitlerin. Të gjithë duken qesharakë. Hitleri është dukur qesharak, Mussolini është dukur qesharak, ashtu siç duken qesharakë edhe diktatorët dhe despotët tjerë”.
“Ky është shqetësimi im. Ka njerëz që duan të bëhen si ai, por ata do të punojnë në mënyrë më të mençur se ai”, ka thënë De Niro.
Aktori hollivudian në shumë raste e ka kritikuar presidentin e SHBA-ve, ndërsa nuk i ka kursyer fjalët kur ka folur për të.