Kinemaja shqiptare në Itali, Mario Bova: Perspektivë fitimprurëse për Ballkanin (VIDEO)
Filma që rrëfejnë realitetin shqiptar të viteve të fundit, por edhe krijimi i një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet kinemasë ballkanike dhe asaj italiane, ku Shqipëria është ura lidhëse kanë qenë në qendër të aktivitetit “Ditët e kinemasë shqiptare në Romë” të mbajtur nga 31 maj deri në 2 qershor në kryeqytetin italian. Mario Bova, president i shoqatës “Occhio Blu”, nismëtare e aktivitetit, flet për rëndësinë e ngjarjeve të tilla në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe më gjerë. Lidhjet e Bovës me vendin tonë janë të hershme, që prej viteve kur ka qenë ambasador i Italisë në Shqipëri dhe ndërsa flet për të tashmen ai thekson se kultura ka pësuar zhvillim të dukshëm në vendin tonë.
“Occhio Blu” është një shoqatë kulturore italo-shqiptare që ka lindur rreth 20 vjet më parë dhe që ka si objektiv të përhapë në Itali kulturën shqiptare. Duke shkuar para në kohë, gjë shumë interesante është se kultura shqiptare ka fituar rëndësi në të gjithë sektorët, jo vetëm në letërsi, ku ka një prani shqiptare të nivelit të lartë, por edhe në muzikë, në pikturë dhe në kinema dhe arritëm në pikën e asaj çfarë po ndodh këto ditë. Kemi organizuar së bashku me sponsorë të tjerë këto ditë të kinemasë shqiptare. Janë tre ditë ku kinematografia italiane dhe kinematografia shqiptare janë përballur, janë takuar për të diskutuar të ardhmen dhe si ta përballin këtë të ardhme, në mënyrë që të shfrytëzojnë potencialin që ndodhet në të dy vendet. Perspektivat janë shumë interesante dhe besoj do të jenë shumë fitimprurëse, jo vetëm për raportet midis Shqipërisë dhe Italisë, por edhe për të gjithë Ballkanin. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur si objektiv edhe që t’i bëjmë italianët të kuptojnë se sa është rritur kinemaja shqiptare në këto vite. Zhvillimi është me të vërtetë impresionues, është një rritje cilësore, tashmë një kinema e nivelit ndërkombëtar, një kinema e nivelit evropian që ka marrë vlerësime dhe ka fituar një sërë çmimesh dhe është cilësore”, thotë Bova.
Gjatë “Ditëve të kinemasë në Romë” në Casa del Cinema u shfaqën 11 filma shqiptarë, mes të cilëve edhe me metrazh të shkurtër, animacion dhe dokumentarë. Pjesë e aktivitetit gjatë ditës së parë të tij ishte edhe tryeza “Projekti Ballkan- Takimi Itali & Shqipëri”, e mbajtur në zyrat e ANICA-s, Shoqatës Kombëtare Italiane të Industrisë Kinematografike.