Kompanitë e basteve, me shumë mundësi Eurovizionin e fiton një shqiptar
Sot është nata e madhe e Eurovizionit dhe 3 shqiptarë janë pushtuar nga emocionet. Veç Eugent Bushpepës, zëri ynë zyrtar në Festivalin Europian e Këngës, edhe dy bashkëkombës të tjerë, Eleni Foureira me flamurin e Qipros dhe Ermal Meta me atë të Italisë, përcjellin vlerat e tyre në skenën e ‘Altice Arena’.
Në pritje të finales së madhe, nuk kishte se si të mungonin diskutimet për favoritet e këtij viti. Ekspertët britanikë kanë krijuar një listë me koefiçentët e secilit shtet pjesëmarrës.
Kandidatja më e mundshme për të triumfuar sot në Portugali sipas këtyre eksperteve, duke i’u vendosur edhe koefiçentin më të ulët, është Foureira.
E dyta në listë renditet Netta Barzilai e Izraelit me këngën ritmike ‘Toy Boy’, të evidentuar që në fillim si një prej favoriteve të qarta të konkurrimit.
Këngëtari Eugent Bushpepa ndërkohë renditet në vendin e 24-t, i pasuar vetëm nga Serbia. Këtë mbrëmje, ai do të ngjitet në skenën e Eurovizionit i 12-ti, pas Gjermanisë.