Modelja Gisele Bundchen rrëfen problemet me ankthin: Ndihesha e pafuqishme, doja të hidhesha nga ballkoni
Gjërat asnjëherë nuk janë siç duken. Diçka të tillë e konfirmoi edhe vetë modelja Gisele Bundchen. Ajo në një intervistë për “People” vendosi që t’u tregojë njerëzve jetën e saj të pasqyruar në librin e ri dhe nuk është aspak perfekte.
“Gjërat mund të duken të përsosura nga jashtë, por nuk e keni idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Ndjeva sikur ndoshta ishte koha të ndaja disa nga dobësitë e mia dhe më bëri të kuptoj, pavarësisht gjithçkaje që kam jetuar, nuk do të ndryshoj kurrë, sepse mendoj se jam kjo që jam për shkak të këtyre përvojave”, shprehet modelja.
Në librin e saj “In Lessons: My Path to a Meaningful Life”, Gisele shkroi se si në kulmin e karrierës së saj, pasi kishte arritur një kontratë prej 25 milionë dollarë me “Victoria’s Secret”, po përjetonte një ankth të tmerrshëm: “Ndihesha e pafuqishme. Bota jote bëhet më e vogël dhe nuk mund të marrësh frymë, që është ndjenja më e keqe që kam pasur ndonjëherë”, tregon Gisele.
Por gjërat u bënë edhe më serioze kur ajo po mendonte të vriste edhe veten:“Pata atë ndjesinë: ‘Nëse hidhem nga ballkoni, e gjitha kjo do të mbarojë dhe nuk duhet të shqetësohem më për këtë ndjesi’”.
Por erdhi momenti kur ajo kuptoi se duhet të bënte disa ndryshime në jetën e saj. Takoi një specialist dhe nisi të konsumonte qetësues, por nuk donte të varej nga ilaçet. Hoqi dorë nga duhani, alkooli dhe sheqeri dhe nisi meditimin apo të bënte joga. Gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar që nga ajo kohë.