Pas një nate plot surpriza, mbyllet edicioni i 56-të i festivalit të këngës
Ka përfunduar nata finale e edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Një natë plot surpriza, ku performuan plot 14 artistë, nën moderimin e Adi Krasta dhe Jonida Shehut.
E ftuar speciale gjatë mbrëmjes, ka qenë këngëtarja e njohur Elsa Lila, e cila iu rikthye skenës së Pallatit të Kongreseve, pas 21 vitesh. Ajo performoi para publikut një kolazh këngësh të njohura të muzikantëve të mëdhenj si Vivaldi dhe Bethowen, ndërsa me shumë emocion rrëfeu ndjesinë e rikthimit në skenën e madhe.
Juria vendosi që kënga fituese e festivalit të jetë “Mall” nga Eugent Bushpepa, i cili tashmë zyrtarisht do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2018”. Kënga “Mall” është një kompozim i vetë artistit, ndërsa edhe vargjet e tekstit i ka shkruar gjithashtu vet.
Vendi i dytë i takoi këngës “Egziston”, kënduar nga Redon Makashi, ndërsa vendi i tretë shkoi për artisten Inis Neziri me këngën e saj “Piedestal”.
Ndërkohë, “Eurovision 2018” do të zhvillohet në datat 8, 10 dhe 12 maj në Lisbonë të Portugalisë.