Reagon e indinjuar familja e Michael Jackson pas shfaqjes së filmit dokumentar rreth abuzimeve seksuale të tij
Familjarë e Michael Jackson janë shprehur shumë të indinjuar me rastin e premierës së filmit dokumentar “Leaving Neverland”, sepse ka iniciuar sërish akuza rreth abuzimit seksual të artistit.
Premiera u shfaq të premten në Festivalin e Filmit të Pavarur të SHBA-së “Soundance” në Park City, Utah.
Filmi flet rreth historisë së dy të rinjve të cilët, siç thonë ata janë abuzuar seksualisht nga këngëtari i famshëm. Të dy ata e çuan në gjyq këtë çështje në vitin 2013, disa vite pas vdekjes së artistit, duke pretenduar se stresi dhe trauma i kishte shtyrë ata ta pranonin publikisht se ishin abuzuar seksualisht.
Familja Jackson në fillim të janarit e kishte vlerësuar “skandaloze dhe patetike” filmin e Dan Reed, i titulluar sipas emrit të fermës së këngëtarit të ndjerë “Neverland”.
Fakti që janë marrë për bazë deklaratat e këtyre dy personave pa pasur fakte, ka shqetësuar shumë të afërmit e këngëtarit të ndjerë të cilët janë shprehur: “Nuk mund ta besojmë që po merren për bazë vetëm fjalët e atyre dy personave gënjeshtarë, kur ka qindra persona e familje të tjera që e njihnin mirë Michael-in dhe kanë vlerësime të larta për të.”