Lajme

10 January 2019

Shpallen nominimet për iHeart Radio MA 2019, Bebe Rexha dhe Dua Lipa të nominuara në disa kategori

Një nga festivalet më të mëdha në Amerikë, iHeartRadio Music Awards 2019, do të zhvillohet këtë vit më datë 15 mars, në teatrin “Microsoft”.

iHeartMedia dhe FOX kanë zbuluar listën e nominimeve për këtë vit, ndërsa reperët Cardi B dhe Drake kryesojnë listën me disa nominime, Cardi me 13 dhe Drake me tetë.
Cardi B u nominua më së shumti në sajë të albumit të saj shumë të suksesshëm “Invasion of Privacy”, dhe bashkëpunimeve të shumta.

Kënga më e transmetuar e 2018-s, “God’s Plans” nga Drake, mori gjithsej pesë nominime dhe konkurron në kategorinë “Kënga më e mirë e vitit në zhanrin hip-hop”.
Artistë të tjerë që kanë marrë nominime të shumta janë emrat e njohur si: Ariana Grande, Post Malone, Shawn Mendes dhe Maroon 5.

Listës nuk i mungojnë as emrat shqiptarë, kjo pasi dy këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Bebe Rexha, kanë arritur gjithashtu të nominohen.

Dua Lipa është ajo e cila kryeson me gjithsej katër nominime: “Artistja më e mirë femër”, “Kënga më e mirë ritmike” dhe “Klipi më i mirë” për këngën ‘One kiss’ (bashkëpunim me Calvin Harris), dhe për “Fotografin më të mirë”, për Pixie Levinson, që është fotografja zyrtare e Dua Lipës.


Ndërkohë edhe Bebe Rexha ka mjaft arsye për të festuar këtë vit, pasi ajo gëzon dy nominime në iHeartRadio, atë për “Këngën më të mirë të zhanrit country” dhe “Bashkëpunimin më të mirë” për këngën shumë të suksesshme “Meant to be” në bashkëpunim me Florida Georgina Line.

Të lumtura nga këto nominime, dy artistet shqiptare kanë ndarë me ndjekësit e tyre në Instagram disa fotografi, duke treguar se janë entuziaste për nominimet në këtë festival.
Kujtojmë që të njëjtat janë nominuar për çmime edhe në mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve muzikore, Grammy Awards.

|

Leave a Reply

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com