Simbolizmi i flokëkuqeve më të famshme të historisë së artit (FOTO)
Është viti 2006 dhe unë po i afrohem shtëpisë. Era e gomave fshirëse dhe e mishit të drekës përshkon ajrin. Futem brenda në heshtje, zë një vend në pjesën e prapme dhe hap faqet me shkëlqim të librit tim historisë për të lexuar deri mbi fermat e kikirikëve dhe Jimmy Carter.
Dante Gabriel Rossetti
“A ke së paku një shpirt?”, më qorton një fëmijë në klasën time, miqtë e tij e shtyjnë dhe përpiqet të mbrohet nga kukurizmat e tyre. Një gjimnaziste e brishtë dhe e turpshme, unë qesh pak për pyetjen e çuditshme dhe kthehem te libri im. Shokët e klasës vazhdojnë: “Ti je si xhenxhefil. S’ka mundësi të kesh shpirt! ”
Ky ishte parathënia ime për “tjetërsinë” që rrethon flokëkuqët, realë dhe imagjinarë. Gjatë gjithë historisë, artistët që nga Sandro Botticelli e deri te Dante Gabriel Rossetti kanë minuar simbolizmin e fuqishëm të flokëve të kuq për të sugjeruar alternativen, sensualitetin, dredhinë dhe, mbi të gjitha, ngjashmërinë për shekuj me radhë.
“Venus”, Boticcelli
Flokëkuqet janë të rralla, por pse duhet t’i bëjnë ata veçanërisht dredharake ose veçanërisht të dëlira? Pse Botticelli zgjodhi t’i japë Venusit, perëndeshës së seksit, bukurisë dhe dashurisë, ata flokë? Çfarë e pushtoi Rossetti-n që ndoqi Alexa Ëilding një grua që modeloi për “La Ghirlandata” (1873) (përveç veprave të tjera) dhe e luti që të ulet e të pozojë për të? (Sipas Jacky Colliss Harvey, autor i “E kuqja: Historia e Flokëkuqeve”, Rossetti ishte një “shembull absolutisht klasik i një njeriu me diçka për flokëkuqet, diçka të pakontrollueshme për flokëkuqet”).
“Kjo puna e të qenit i tërhequr nga ngjyra e kuqe është shumë e lidhur me ne”, tha Harvey. Njerëzit e hershëm zhvilluan aftësinë për të dalluar mes të kuqeve, jeshileve dhe bluve një mekanizëm evolutiv për të zgjedhur pemët me ngjyra të ndezura në pyjet e gjelbra. “Dhe kjo para se kuptimi të shoqërohej me zjarrin, ngrohtësinë, diellin dhe gjakun”, vazhdoi Harvey. E kuqja është, pra, një ngjyrë shumë e trashë e lidhur me mbijetesën, seksin dhe emocionet e forta.
Jules Joseph Lefebvre, Mary Magdalene in a Grotto, 1876
Figura e Dhiatës së Re Maria Magdalena, që mendohet të jetë prostitutë e reformuar, është një nga figurat më të hershme dhe më të qëndrueshme në historinë e artit perëndimor për t’u portretizuar me flokë të kuq për të komunikuar mëkatin. Pavarësisht se ajo përshkruhet si e reformuar duke e lexuar Biblën, siç është interpretimi i Piero di Cosimo në fund të shekullit XV, apo lakuriq në një shpellë, siç është portretizuar në mënyrë joshëse në një vepër të vitit 1876 nga Jules Joseph Lefebvre, flokët e saj të kuq janë pika qendrore. Në “Marta dhe Maria Magdalena” të Caravaggio-së (rreth vitit 1598), duket moment i transformimit të saj shpirtëror dhe flokët e saj të kuq bëhen përfaqësues të së kaluarës që po largohet për të ndjekur Krishtin.
Maria Magdalena – një grua që njëkohësisht mishëron mëkatin, virtytin, epshin dhe dëlirësinë – padyshim provokon një tension të caktuar estetik dhe kulturor. Në shumë mënyra, ky tension reflekton stigmatizimin e flokëve të kuq në shoqëri. Flokët ëngjëllorë ose djalëzorë të botës tjetër ose interpretohen si “e mira” ose “e keqja” dhe shpesh kanë të bëjnë me dy gjëra: gjininë dhe klasën.
Piero di Cosimo, Saint Mary Magdalene
Francesco Bianci Buonavita “Mary Magdalene”
Sensualiteti dhe ekzotizmi i flokëve të kuq që admirohet aq shumë te gratë (Maria Magdalena mund të jetë mëkatare, por së paku ajo është tërheqëse) nuk përkon si ide për gjininë tjetër. “Ky standard i bukurisë femërore nuk vlen për burrat”, tha Harvey. Tipari që i bën gratë me flokë të kuqe të dëshirueshme, për ironi burrat i bën të padëshirueshëm. Ata veçohen si tradhtarë, hajdutë dhe kriminelë – stereotipe këto që kanë bërë që ata të përbuzen në shekuj.
Juda Iskarioti, dishepulli që tradhtoi Jezusin, i bashkohet Maria Magdalenë në listën e personazheve biblike, që shpesh pikturohen me flokë të kuq. Në rastin e tij, ngjyra nuk është e idealizuar apo e seksualizuar – është shenjë e degjenerimit. Ky nocion i burrave flokëkuq si tradhtarë buron nga besimet antisemite në Evropën mesjetare, ku “hebrenjtë ishin vrasës të Krishtit dhe rrëmbyesit e fëmijëve të krishterë”, shpjegon Harvey në librin e tij. Ky paragjykim kundër hebrenjve u bë një paragjykim ndaj flokëkuqve.
Një pikturë nga Anthony van Dyck (vetë flokëkuq), e titulluar “Takimi i Krishtit” (1618-1620), përshkruan momentin kur Juda puthi Jezusin në Malin e Ullinjve, duke bërë që të identifikohej nga romakët, të cilët urdhëruan arrestimin e tij. Ky vizion barok është dinamik dhe të lë pa frymë: Një diagonale gjithëpërfshirëse, e krijuar nga shumica e trupave që derdhen drejt Jezusit, tërheq vëmendjen te fytyra e Shpëtimtarit kur Juda, fytyra e tij e mbuluar nga një mjekër e kuqe, sjell puthjen e mallkuar. Flokët e tradhtarit nuk dallojnë nga mjekra; të dyja përzihen në lëkurën dhe veshjet e me ngjyrë të ngjashme, duke vënë në qendër të vëmendjes pamjen e Judës.
“Altarpiece of the Lamentation of Christ”, Joos van Cleve
Një tjetër Judas i zjarrtë shfaqet në “Altarpiece of the Lamentation of Christ” të Joos van Cleve (1520- 1525) si një interpretim i “Darkës së Fundit”. Mollëzat e faqeve janë të kërcyera dhe hunda e tij është e mprehtë, fytyra e tij është e kthyer në profil teksa sheh Jezusin, mjekra e të cilët ka shenja ngjyre bakri. Nuk është e pazakontë në historinë e artit që Jezusi të shfaqet edhe me flokë të kaltër, por tiparet e tij këtu janë të buta dhe të idealizuara, duke krijuar një kontrast me lëkurën e ashpër, të rrudhur të Judës dhe kokën e trashë të flokëve. (Në mënyrë paradoksale, tek Jezusi, flokët e kuq shihen si shenjë e pastërtisë morale; në Rilindje, flokët e kuq ishin të përshtatshëm për mëkatarët dhe shenjtorët, por aspak për ndonjë gjë të ndërmjetme.)
“Mëshira”, Vincent van Gogh
Artistët modernë vazhduan ta përdorin simbolizmin e flokëve të kuq edhe në shekullin XIX dhe XX. Disa vazhduan portretizimin e Jezusit flokëkuq për të paraqitur plotësinë dhe hyjninë e tij. “Pieta” (Mëshira) e Vincent van Gogh (Pas Delacroix) (1889) tregon Krishtin me flokë si të vetë artistit. Krishti fëmijë i pafajshëm shfaqet në artin e John Everett te “Christ in the House of His Parents” (Krishti në shtëpinë e prindërve të tij) (1849-1950) u përshkrua shkëlqyeshëm nga Charles Dickens si një “djalë me qafë të ngrirë, me flokë të kuq, në një fustan shtrati”.
Nëse flokët e kuq për Jezusin sugjerojnë botën tjetër; për Marinë, epshin; dhe për Judën, degjenerimin, ngjyrat e flokëve në portretizimet e sinqerta të natës pariziene të Edgar Degas dhe Henri de Toulouse-Lautrec, në fund të shekullit XIX, kanë pak nga të dyja. Flokëkuqet e Toulouse-Lautrec nuk kanë idealizimin e trupave të idealizuar të “Magdalenës” së Lefebvre dhe të “Ghirlandata” të Rosset-it. Në vend të kësaj, veprat e tij ofrojnë realitetin e ashpër të artistëve dhe të prostitutave të Parisit.
“Rue des Moulins” (1894) i Toulouse-Lautrec është një skicë në vaj që tregon dy gra që qëndrojnë në radhë. Funde të ngritura mbi kofshë, bluza të hapura në krahë, faqe të rëna. Njëra është bjonde dhe e këputur nga lodhja, ndërsa gruaja tjetër, një rrëmujë flokësh të kuq, duket se ka dhënë dorëheqjen. Ata janë duke u inspektuar për sifiliz, një kërkesë mujore për të punuar në një bordel. Ngjyra e ndritshme e pandërprerë e gjetur në punën e Toulouse-Lautrec nuk është aq ekzagjerim artistik sesa një përshkrim besnik i flokëve të lyer me këna, një pamje që shumë prostituta dhe interpretues e përdornin për të dalë në bordel a skenë.
Vepra e Degas “Woman at Her Toilette” (Gruaja në tualetin e saj (1900-1905) në mënyrë të ngjashme tregon realitetin e jetës moderne urbane. Pamja intime e një gruaje me kokë të kuqe natyrale që than flokët e saj pas një dushi është e sinqertë, jo e idealizuar apo tepër seksuale. Ngjyra e ndritshme e kuqe shfaqet edhe në pikturat e famshme të balerinave të Degas-it, të cilat shpesh dilnin natën si punëtorë seksi.
Flokëkuqet mund të konsiderohen të bukura ose barbare, të shenjta ose të këqija. Nga Mbretëresha Elizabeta I në Sansa Stark, historia e flokëve të kuq në kulturën pamore mbart në vete edhe paragjykimet, edhe dëshirat. /Artsy, përgatiti Erina Çoku/