Tenistja më e mirë në botë sjell në jetë fëmijën e parë
Serena Williams u bë nënë për herë të parë. Tenistja amerikane lindi një vajzë të shëndetshme në një klinikë të Floridas.
35-vjeçarja, e cila është në një marrëdhënie me bashkëthemeluesin e Reddit, Alexis Ohanian prej vitit 2015, u shtrua në spital ditën e mërkurë dhe ka lindur të premten.
Vetë çifti nuk ka njoftuar asgjë, por trajneri i tenistes, Patrick Mouratoglou “zyrtarizoi” gjithçka përmes një postimi në Twitter.
“Jam shumë i lumtur për ty dhe uroj që ta marrësh veten shpejt sepse ti e di…kemi shumë punë përpara që na pret”, shkruan ai.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit për lindjen e vajzës, Serena ka marrë urime nga yjet e sportit, muzikës, kinemasë dhe fansat e saj nëpër rrjetet sociale.
Fituesja e 23 Grand Slam-eve deklaroi muajin e kaluar se planifikonte që t’i rikthehej tenisit në muajin janar për Australian Open.